Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se vazhdojnë të kenë qëndrim konsistent sa i përket votimit fillimisht të ndryshimit të Ligjit për Specialen.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti u zotua se të enjten do të votojë ndryshimet e këtij Ligji nëse
PDK-ja ia siguron gjysmën e votave për presidentin.
Hamza ka thënë në konferencë për media se çështja e presidentit dhe Ligji për Specialen nuk janë të ndërlidhura por vetëm ka rastisur të jenë në të njëjtën kohë.
“Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent. Aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet. Nuk janë të lidhura me asnjë çështje politike. Ka koinciduar me çështjen e presidentit. Unë i jam mirënjohës i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklartës. Por të qartësojmë lufta e popullit të Kosovës e UÇK-së nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet veç PDK-ja me fol për mbrojtjen e një lufte të drejtë çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë e tjera politike”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se kandidati për president, Bekim Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në por me LDK-në. Kryetari i PDK-së deklaroi se kërkesa e Kurtit për ta votuar presidentin nuk ishte ofertë por detyrim.
Sipas Hamzës, edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse Kurti i dëshiron të gjitha për vete.
“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po ti kërkojë 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po ti kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë por nuk shkojnë kështu. Nëse dojmë ta bëjmë Ligjin sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje. Ne po kërkojmë ta bëjmë ligjin. Çdo orë, çdo kohë që kalon në të vërtetë e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet. Prandaj edhe herëve të kaluara vendi ka shkuar në zgjedhje si veprim, si projekt i Kurti. Edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse LVV i dëshiron të gjitha për vete, edhe ato që nuk i takojnë”, ka thënë Hamza.