Këta janë 3 kandidatët që pritet t’i futen garës për kryetar të PDK-së?

Bedri Hamza po e bën një gjë që në politikën kosovare pothuajse konsiderohet anomali: po largohet nga karrigia pa pasur nevojë me ia marrë dikush me zor.

Hamzën mundesh me e akuzu për shumë gjëra. Për mungesë agresiviteti politik, për rezultate modeste zgjedhore, për faktin që PDK-ja nuk arriti të bëhet alternativë serioze për ta marrë pushtetin. Mirëpo, askush nuk mund të thotë që ai e mbajti peng partinë për shkak të ambicieve personale.

Përkundrazi, Hamzës i ra me marrë pjesë në dy palë zgjedhje më shumë sesa që e kishte menduar. Dhe, sapo e kuptoi që qëndrimi i tij i mëtejshëm nuk do ta ndihmonte PDK-në, vendosi të largohej.

Dy vitet e fundit kanë qenë të tmerrshme për partitë opozitare. Tri palë zgjedhje të inxhinieruara nga partia në pushtet, të tria në kushte të pafavorshme për opozitën, e posaçërisht për PDK-në, subjekt ky që duhet ta balancojë aktivitetin e vet politik në mes të Kosovës dhe Hagës.

Hamza e mori PDK-në pas katastrofës elektorale të vitit 2021. E ndali rënien, shënoi një rritje modeste dhe e shpëtoi partinë nga nënshtrimi i plotë ndaj partisë në pushtet.

Por pastaj PDK-ja ngeci. Në dy palë zgjedhjet e tjera nuk pati ndonjë përparim domethënës.

Dhe tash, me largimin e Hamzës, pyetja nuk është më pse po largohet ai, por kush po vjen pas tij. Dhe, mbi të gjitha, a ka dikush në PDK që mund ta nxjerrë këtë parti prej vendnumërimit?

Hamza, në fakt, nuk ka qenë kurrë politikan me ambicie të shfrenuara personale. Zakonisht ai ka fituar pozita, jo duke i kërkuar vetë, por duke ia kërkuar të tjerët. Kështu kishte ndodhur edhe me pozitën e kryetarit të PDK-së, edhe me atë të kryetarit të Mitrovicës, e edhe me pozitat ministrore që i ka pasur.

Sa i përket marrëveshjes së fundit me LVV-në për të zgjedhur një presidente të përbashkët, këtë do ta gjykojmë pas një kohe. Është herët të flasim nëse ia ka vlejt. Ajo çka ia ka vlejt është ndalja e trendit absurd të zgjedhjeve.

Tash, me largimin e Hamzës, duket që në PDK janë rritur apetitet organike të disa figurave të kësaj partie për ta trashëguar atë pozitë.

Sipas burimeve të Nacionales, tashmë në PDK kanë informata që janë tri figura që pritet t’i futen garës për kryetar, garë e cila do të mbikëqyret nga Vlora Çitaku.

Bëhet fjalë për Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Përparim Grudën. Renditja nuk është bërë sipas rëndësisë :).

Hoxhaj ka kohë që është duke bërë përpjekje që ta rimarrë kontrollin e partisë, të cilin e kishte fillimisht kur Thaçi e Veseli u dorëzuan në Hagë. Rezultati zgjedhor i PDK-së, nën Hoxhajn, nuk ka qenë shumë spektakolar, por Hoxhaj mund të arsyetohet se ato ishin ditët më të vështira të PDK-së.

Hoxhaj kishte provuar edhe njëherë, kur ishte zgjedhur Hamza, por nuk kishte pasur shumë sukses. Ishte ankuar që gara kishte qenë e pabarabartë. Por Hoxhaj e meriton një kredit, sepse, pa marrë parasysh rezultatin, ai i kishte qëndruar lojal partisë.

Më në fund, kapuçin në ring po duket që don me e hedhë edhe Uran Ismaili. Shefi i PDK-së për kryeqytet. Padyshim që Urani ka dëshmuar rezultate serioze në Prishtinë, ku në zgjedhjet e fundit për pak sa nuk i kishte befasuar të gjithë duke u futur në balotazh.

Të gjithë pajtohen që Urani është jashtëzakonisht efikas në fushata zgjedhore ku merr pjesë edhe vetë, por është dembel dhe zhduket nga skena kur të tjerët në parti kanë nevojë për të.

Nëse është ky standard, atëherë, nëse zgjidhet kryetar i partisë, i bie që Ismaili do të jetë i dedikuar maksimalisht.

Urani ka qenë mjaft i suksesshëm edhe si ministër i Shëndetësisë.

Pjesa më e ndjeshme e Uranit është lidhja e tij me biznesin, qoftë biznesin personal, qoftë me biznesmenët e ndryshëm të kryeqytetit, të cilët kohë pas kohe bëhen si urë lidhëse në mes të partive të ndryshme.

Nëse bëhet kryetar i PDK-së, por edhe gjatë fushatës për kryetar të partisë, Ismaili duhet të përgatitet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Ismaili, nga treshja garuese, është ndoshta i vetmi që mund të synojë të marrë vota edhe në territore jotradicionale të partisë.

Kjo është shumë me rëndësi, siç është me rëndësi që edhe të provojë t’i bindë votuesit tradicionalë që ky nuk do t’i harrojë as ata.

Urani konsiderohet i afërt me Kadri Veselin, më shumë sesa me Hashim Thaçin.

Në vitet e fundit, prej figurave të reja në PDK, më së shumti ka rënë në sy Përparim Gruda. Kjo është dëshmuar edhe gjatë zgjedhjeve, kur Gruda futej në mesin e dy-tri personave më të votuar në parti.

Gruda është çmuar më së shumti në debatet televizive, por edhe në foltoren e Kuvendit, kur ka diskutuar për çështje të drejtësisë.

Duke qenë me prejardhje nga Drenica, nuk ka dyshim që baza e PDK-së e mbështet atë. Mirëpo, kurrë nuk do të mjaftojë vetëm vota e Drenicës që PDK-ja t’i fitojë zgjedhjet. Prandaj, edhe Gruda duhet të provojë të apelojë përtej atyre kufijve.

Përparim Gruda duket që gjithashtu është në sy të mirë të Hashim Thaçit.