Presidentja e Hungarisë: Do të bëjmë çmos që Kosova të marrë liberalizimin e vizave

“Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi mundësi që Kosova të marrë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, gjatë vizitës së saj zyrtare, më 13 shtator, në Prishtinë.

Në konferencën e përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Novak ka thënë se vendi i saj do të luajë rol aktiv për të siguruar paqe dhe se objektivi i tyre është stabiliteti, “ashtu që të mos ketë më luftë në Evropë”.

“Kanë kaluar 20 vjet prej përfundimit të luftërave në Ballkan, nuk është edhe shumë larg, ndërsa tani kemi luftën në Ukrainë dhe është tejet me rëndësi që kjo luftë të shmangë Evropën”, është shprehur presidentja e Hungarisë.

Ndërsa, presidentja Osmani, ka thënë se shpreson që të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë kryesimit të Çekisë me Presidencën e BE-së.

Sipas Osmanit , ka ardhur koha që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian të ngriten në një nivel më të lartë dhe se “Kosova këtë vit do të aplikojë për statusin e vendit kandidat”.

Novak para vizitës në Prishtinë, ka qëndruar në Bukuresht, Beograd dhe Zagreb.