A do t’i bashkohet LDK-së Osmani me listën e saj, tregon Gërvalla

Donika Gërvalla nga Lista e Vjosa Osmanit “Guxo”, thotë se nuk ka asnjë mundësi që Osmani dhe lista e saj të rikthehen në Lidhjen Demokratike të Kosovës. 

Pas humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, i pari i LDK-së, Isa Mustafa njoftoi dorëheqjen por kjo nuk e bind Gërvallën se LDK-ja do të reformohet.

“Mustafa nuk ka dhënë dorëheqje. Ai tha se në Kuvendin e ardhshëm do të ofrojë dorëheqjen si kryetar i LDK-së sepse nuk duan të japin nga dora mundësinë për të manipuluar Kuvendin e ardhshëm zgjedhor”, tha Gërvalla në Ktv.

Se çka po ndodh në LDK, Gërvalla e quan tentim për mashtrim. 

“Nuk ka asnjë hapësirë për ne në kuadër të LDK-së . Unë kam dalë e zonjën Osmani e kanë nxjerr me zor nga LDK-ja. Zonja Osmani nuk e ka lëshuar LDK-në por e kanë përjashtuar si frikacakë, si qyqarë. E kanë përjashtuar me do votime me email”, theksoi Gërvalla.

Gërvalla, ka thënë se në 4 vitet e ardhshme, Vetëvendosje me Listën e Osmanit do të udhëheqin Kosovën.