A vazhdon Kosova të jetë populli më pro-amerikan në botë?

Pas rrëzimit të qeverisë, lajmi kryesor që ka dominuar dy ditëve të fundit ka qenë mospërputhja mes qeverisë së SHBA-ve dhe qeverisë së Kosovës për sa i përket qëndrimeve dhe deklaratave.

Dy herë radhazi deklaratat e kryeministrit Kurti janë përgënjeshtruar nga Washingtoni.

Së pari është përgënjeshtruar pretendimi se amerikanët janë duke mbështetur një marrëveshje të gatshme që çon në shkëmbimin e territorial mes Serbisë dhe Kosovës nga një deklaratë e zyrtarëve të lartë Grenell, Kosnett dhe Palmer.

Së dyti, Grenell gjatë intervistës së tij ka përgënjeshtruar deklarata e kryeministr it në detyrë Kurti se nuk e ka premtuar heqjen e taksës ndaj amerikanëve. Menjëherë pas këtyre deklaratave, filluan të organizoheshin anketa televizive dhe në rrjete sociale nëse populli kosovar i besonte më shumë deklarimeve amerikane apo delaratave të kryeministrit në detyrë, Kurti.

Një ndër gjërat për të cilat më së shumti Kosova është përmendur ndër vite nga mediat ndërkombëtare ka qenë pikërisht fakti se Kosova udhëheq në rajon dhe në botë sa i përket mbështetjes ndaj SHBA-ve.

 Sondazhi i grupit prestigjioz Gallup para pak vitesh nxirrte se në mesin e 132 shteteve të anketuar, Kosova printe me 85% të mbështetjes ndaj SHBA-ve. Këtë gjë e konfirmojnë edhe anketa të tjera që ndër vite e nxjerrin Kosovën të parën, të ndjekur mandej prej vendeve si Shqipëria, Izraeli, Polonia dhe Korea e Jugut.

E njëjta gjë vlen edhe për sa i përket presidentit Trump dhe administratës së tij. Kohëve të fundit në Kosovë janë bërë përpjekje për të bërë një dallim mes SHBA-ve si shtet dhe presidentit aktual, mirëpo qytetarët nuk shohin ndonjë dallim të madh mes këtyre.

Edhe pse presidenti amerikan konsiderohet shpesh kontraversal nëpër Evropë, Kosova mban vendin e parë në përkrahje të qeverisë së tij. Këtë gjë e dëshmoi anketa e mbajtur nga Gallup International për vitin 2018 e cila tregonte  se 75 për qind e njerëzve në Kosovë mbështesin performancën e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara. Shqipëria fqinje vinte e dyta, me 72 për qind mbështetje. 

Në fund të listës me 134 shtete ishte Rusia me 1% ndërsa në fund në rajonin ballkanik ishte Serbia me vetëm 16% mbështetje.