Abdixhiku: VV po harxhon kohë, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se sa më shpejt që Glauk Konjufca dhe Lëvizja Vetëvendosje të ndalojnë konsumimin e ditëve, aq më shpejt mund të zgjidhet kriza politike.

Sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

“Sa ma herët që Glauk Konjufca dhe VV-ja e ndërprenë konsumimin e ditëve, aq më shpejt zgjidhet kriza, vjen qeveria e re, buxheti i ri dhe aq më shpejt vjen legjitimiteti i qytetarëve. LDK bën thirrje që të sillemi vetëm një herë të përgjegjshëm për Republikën. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja. Çdo vonesë në këtë drejtim është taktikë politike, sa e trishto ashtu edhe pa konsideratë për Republikën e Kosovës dhe të ardhmen që e pret këtë popull”, tha Abdixhiku në një konferencë për media, njofton Klankosova.tv.

Abdixhiku u deklarua edhe në lidhje me spekulimet se mund të ketë deputetë të kësaj partie që votojnë për një qeveri të VV-së.

Ai tha se LDK-ja është parti shumë demokratike, derisa shtoi se deputetët janë të lirë të veprojnë si të duan.

“LDK është parti shumë demokratike, me gjithë spekulimet e këtyre tetë muajve të fundit se ka deputetë që shkojnë andej e këndej,më besoni as nuk i kemi kërcënuar e as nuk i kemi frikësuar. Kanë qenë të lirë karshi votës që ata e kanë”, u shpreh ai