Adelinë Sahiti, gazetarja që po sfidon vetën në politikë, synon të bëhet asambliste e Prishtinës

Kemi hyrë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore në nivel komunal dhe kandidatët e ndryshëm nga subjekte të ndryshme politike për një muaj rresht kanë kërkuar besimin e  qytetarëve për t’i përfaqësuar, duke paraqitur platformat e tyre.

Një kandidate që për herë të parë po sfidon vetën në zgjedhje në nivel lokal është Adelinë Sahiti.

Sahiti me profesion tash e 11 vite gazetare ka vendosur të kyqet në politikë me qëllimin siç thotë ajo për të ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës, duke garuar kështu me numër 10 nga radhët e Lëvizjes për Bashkim.


“Kam shkruar e raportuar për telashet e problemet e banorëve të Prishtinës, ndërsa tani ka ardhur koha që për këto telashe të ngris zërin në institucionet vendimmarrëse”, tha Sahiti.

Ajo tutje ka treguar për prioritetet e saja në rast se zgjidhet asambliste në Kuvendin komunal të Prishtinës.

“Gratë, nënat, fëmijët. Këto kategori sociale meritojnë më shumë vëmendje në komunën e Prishtinës. Do të jem zëri i tyre e parreshtuar do kërkoj avancim të pozitës së gruas. Ajo është gjysma e shoqërisë dhe si e tillë meriton trajtim të dinjitetshëm për rëndësinë që ka. Poashtu përmes zërit tim në Kuvend komunal do të angazhohem për më shumë kopshte e arsim më cilësor”, tha ajo.

Sahiti është e martuar, nënën e dy fëmijëve dhe në këto zgjedhje garon me numrin 10 nga radhët e Lëvizjes për Bashkim që ka numrin 140.