Agim Veliu: Kurti po e tregon fytyrën tinëzare, nuk mund të bëj shkarkime të tilla

Tinëzar dhe mashtrues po e quan kryeministrin Albin Kurti, ish-ministri Agim Veliu pas shkarkimit që kreu i Qeverisë ia bëri Velit nga pozita e Ministrit të Brendshëm. Në një deklaratë Agim Veliu, tha se nuk e pranon vendimin e Kurtit për shkarkim

Ai thotë se Albin Kurti është tinëzar dhe se nuk e ka guximin që të merret me tema të mëdha.

 “Zoti Kurti në këtë situatë kur duhet të marrë vendime të tjera, ai nuk ka guxim të marrë vendime të guximshme për vendin, ai merr vendime të tilla tinëzare, pa njoftime pa asgjë. Kështu po e tregon fytyrën e mashtruesit dhe tinëzarit”, ka deklaruar Veliu për Express

Tutje ai ka thënë se nuk është njoftuar nga Qeveria për shkarkimin e tij dhe se deri më tani atij nuk i ka shkuar asnjë vendim i tillë.

“Ende nuk jam i njoftuar me vendim e Qeverisë për shkarkimin tim. Unë nuk pajtohem me atë vendim. Nuk është kjo mënyra e zgjedhjes së problemeve. Këtu është një marrëveshje mes partnerëve të koalicionit. Nuk mund të bëhet asnjë shkarkim paraprak pa miratimin e koalicionit”, thotë Veliu.

I pyetur nëse me këtë veprim të kryeministrit Kurti po luhatet koalicioni qeveritar, Veliu u shpreh se LDK-ja do ta diskutojë këtë çështje në forumet e saja.

“LDK do t’a diskutojë këtë çështje në forum dhe do ta marrë vendimin pastaj”, thotë Veliu.