Agim Veliu: Vjosa Osmani po tradhton, qëndrimi i saj në LDK nuk ka kuptim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po punon për një parti tjetër edhe pse ende po qëndron në LDK. Sipas Veliut, veprimi i Osmanit quhet tradhti.

Gjithashtu, numri dy në LDK, ka thënë se qëndrimi i Osmanit në LDK nuk ka më kuptim.

“Qëndrimi i Vjosa Osmanit nuk është diçka e re në LDK. Ajo ka vepruar edhe më parë kështu. Ajo ka votuar edhe kundër kryeministrit të saj. Ajo vazhdimisht e ka dëmtuar partinë e saj. E të punojë kundër partisë së saj derisa qëndron është në LDK, kësaj nuk e di çka i thonë tjetër përpos tradhti kundër interesave të subjektit të saj”, është shprehur Veliu.

“Nëse Vjosa Osmani përditë bën thirrje kundër vendimeve të LDK-së dhe punon me të tjerët kundër neve, nuk e ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”, ka thënë Veliu.

Ai komentoi edhe deklaratat e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemit, i cili tha në Pressing se “Nëse LDK-ja provon ta bëjë një qeveri pa VV’në, do të ishte grushtet”.

“LDK-ja nuk e ka në agjendë se çfarë qeverie do të bëhet pas mocionit. Megjithatë, unë nuk beso që nëse veprohet sipas kushtetutës do të bëhej çfarëdo grusht shteti”, shtoi Veliu.