Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Ngushtica e Hormuzit, ku forcat detare iraniane kanë paralajmëruar kufizime për qarkullimin e anijeve, duke shkaktuar bllokim praktik të trafikut të tankerëve dhe cisternave të naftës në një nga rrugët më strategjike energjetike në botë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, qindra cisterna dhe tankerë janë ndalur ose po presin pranë rajonit për shkak të tensioneve të rritura, ndërsa ekziston rreziku që të bllokohen qindra miliona deri në një miliard fuçi nafte. Ngushtica e Hormuzit transporton rreth 20 për qind të furnizimit global me naftë, çka e bën çdo pengesë në këtë korridor detar një kërcënim serioz për ekonominë botërore.
Nafta që kalon nëpër këtë ngushticë vjen kryesisht nga vendet e Gjirit Persik, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Irani dhe Iraku, ndërsa destinacionet kryesore janë tregjet e Evropës dhe Azisë, përfshirë Kinën, Indinëdhe Japoninë.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të shkaktojë rritje të menjëhershme të çmimeve të derivateve të naftës, duke goditur sektorin e transportit dhe industrinë globale. Ndikimi pritet të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës, e cila mbetet e varur nga importi i derivateve dhe nuk posedon rezerva të mjaftueshme strategjike të naftës.
Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se zhvillimet gjeopolitike dhe ushtarake po ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik global dhe rajonal, duke kërkuar nga institucionet vendore që të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm në tregun e energjisë dhe furnizimit me derivate.
“Nafta është siguri ekonomike e një shteti”, deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke theksuar nevojën për masa parandaluese dhe strategji afatgjata për garantimin e stabilitetit energjetik dhe ekonomik të vendit.