AKB: Pesë shtete kontrollojnë rreth 62% të rezervave botërore të naftës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një studim mbi rezervat globale të naftës, duke vlerësuar se rreth 62 për qind e rezervave të provuara botërore janë të përqendruara në vetëm pesë shtete.

Sipas studimit, Venezuela, Arabia Saudite, Irani, Kanadaja dhe Iraku zotërojnë së bashku rreth 1.087 trilion fuçi naftë, që përbëjnë rreth 61.6 për qind të rezervave të provuara në botë.

Venezuela renditet e para me rreth 303 miliardë fuçi, e ndjekur nga Arabia Saudite me 267.2 miliardë, Irani me 208.6 miliardë, Kanadaja me 163.1 miliardë dhe Iraku me rreth 145 miliardë fuçi.

Megjithatë, AKB thekson se rezervat e mëdha të naftës nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht edhe përfitime më të mëdha ekonomike.

“Të zotërosh naftën nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh më shumë prej saj”, thuhet në studimin e AKB-së.

Sipas analizës, pjesa më e madhe e vlerës ekonomike krijohet përmes rafinimit dhe përpunimit të naftës bruto, nga ku prodhohen benzina, dizeli, karburanti për aviacion, gazrat e lëngshëm, lubrifikantët, asfalti, plastika dhe produkte të industrisë petrokimike.

AKB vlerëson se pikërisht kombinimi i rezervave natyrore, teknologjisë, kapaciteteve të rafinimit, industrisë petrokimike, depozitimit dhe qasjes në tregje përcakton fuqinë ekonomike të një shteti në sektorin energjetik.

Studimi veçon Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë, Korenë e Jugut dhe Arabinë Saudite si vende që kanë ndërtuar kapacitete të mëdha të rafinimit dhe përpunimit. Në këtë kontekst, AKB përmend edhe kompleksin e rafinimit Jamnagar në Indi si një nga shembujt e fuqisë së industrisë moderne të përpunimit të naftës.

AKB: Kosova duhet të forcojë sigurinë energjetike

Në pjesën që lidhet me Kosovën, AKB thekson se vendi nuk disponon rezerva të konsiderueshme të naftës dhe mbetet pothuajse tërësisht i varur nga importi i derivateve.

Sipas AKB-së, kjo e ekspozon ekonominë ndaj ndryshimeve të çmimeve ndërkombëtare, krizave gjeopolitike, konflikteve, ndërprerjeve të rrugëve tregtare dhe problemeve të furnizimit.

Për këtë arsye, AKB kërkon rritjen e rezervave strategjike të derivateve, diversifikimin e burimeve të furnizimit, investime në infrastrukturën energjetike dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.

Organizata kërkon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit rajonal, përfshirë bashkëpunimin me SHBA-në, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, si dhe shqyrtimin e mundësive për përfshirjen në projekte të gazit natyror dhe korridoreve ndërkombëtare të furnizimit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se siguria energjetike duhet të shihet përtej aspektit ekonomik.

“Siguria energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike. Ajo është çështje e sigurisë kombëtare, e stabilitetit të tregut dhe e mbrojtjes së qytetarëve dhe bizneseve nga krizat e ardhshme”, tha Shahini.

Në përfundim, AKB thekson se nafta përfaqëson pasuri natyrore, rafinimi fuqi industriale, ndërsa derivatet vlerë ekonomike, duke argumentuar se Kosova duhet të fokusohet në krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm të furnizimit, rezervave strategjike dhe diversifikimit energjetik.