AKB shënon 23-vjetorin, Shahini: Ekonomia është gjaku që mban pavarësinë tonë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shënuar 23-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne në Vushtrri, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve vendore.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në fjalimin e tij përshëndetës tha se misioni i organizatës që nga themelimi në vitin 2002 ka qenë fuqizimi i prodhimit vendor dhe mbështetja e pavarësisë ekonomike të Kosovës.
“Ekonomia është gjaku që mban pavarësinë tonë. AKB ka qenë dhe mbetet zë i fuqishëm i sektorit privat, me mbi 10 mijë anëtarë që përfaqësojnë kreativitetin dhe guximin e ndërmarrësisë kosovare,” u shpreh Shahini, duke theksuar se organizata do të vazhdojë të promovojë prodhimin, eksportin dhe dinjitetin ekonomik të vendit.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili vlerësoi rolin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që theksoi potencialin e qytetit në fushën e agroturizmit.

Ndërsa drejtoresha menaxhuese e AKB-së, Lumnije Ajdini, falënderoi anëtarët për përkushtimin e tyre gjatë këtyre viteve, duke e cilësuar AKB-në si “zërin më të fuqishëm të bizneseve kosovare”.