Aksidentohet një autobus i Kosovës në Serbi, disa të lënduar

Një autobus me udhëtarë nga Kosova është rrotulluar në afërsi të Krushevcit, të martën rreth orës 22:00.

Gazeta serbe “Novosti.rs” bën të ditur se bëhet fjalë për një autobus të firmës “Zhitia Turist”, që po udhëtonte në linjën Prishtinë – Graz (Austri).

“Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Krushevcit”, shkruan “Novosti.rs”. Sipas informatave të para, bëhet fjalë për 11 të lënduar.

Ndërkohë, nga kompania “Zhitia Turist” kanë thënë për KSP-në se “fatmirësisht nuk ka viktima dhe se janë 5-6 persona me lëndime të lehta”.

Sipas kompanisë, shkak i aksidentit ishte rruga e rrëshqitshme dhe kushtet e vështira atmosferike.