Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar Bedri Hamzën për zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, duke e vlerësuar këtë si një proces të rëndësishëm për funksionimin demokratik të partive dhe të shtetit.
Në urimin e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e proceseve të brendshme zgjedhore dhe të bashkëpunimit ndërpartiak për interesin e përgjithshëm të vendit.
“I shpreh urimet e mia z. Bedri Hamzës për zgjedhjen e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjelltë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë,” ka deklaruar Kurti.
Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim korrekt institucional, duke theksuar përgjegjësinë ndaj qytetarëve dhe Republikës.
“Nga ana ime, do të vazhdoj angazhimin për bashkëpunim korrekt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve, dhe me përgjegjësitë që na i kërkon shërbimi ndaj Republikës,” ka shtuar ai.
Ky reagim vjen një ditë pas zgjedhjes së Bedri Hamzës në krye të PDK-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm për skenën politike të vendit.