Fabrika Ambrella nga Kumanova, prodhuesi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i roletave ekskluzive nga alumini me licencë zvicerane, realizoi një vizitë në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ku u takua me drejtuesit e këtij institucioni dhe diskutoi mundësitë e bashkëpunimit në tregun kosovar.
Sami Mustafa, pronar i Ambrella Kumanovë, u shpreh i kënaqur për mundësinë e takimit dhe theksoi rëndësinë e produktit të tij në tregun ndërkombëtar.
“Produktet tona janë ekskluzive dhe të certifikuara, me materiale 100% zvicerane, gjermane dhe italiane. Çdo produkt ka mekanizma digjitalë dhe garanci deri në 10 vjet. Kosova është një treg që ka kaluar nga emergjenca në ekskluzivitet dhe ka kërkesa gjithnjë e më të larta për produkte të qëndrueshme dhe moderne,” tha Mustafa.
Mustafa u prit nw takim nga Agim Shahini, kryetar i AKB-së, dhe Shkëlzen Jusaj, anëtar i Bordit të AKB-së, të cilët diskutuan mundësinë e futjes së produkteve të Ambrella në tregun kosovar dhe anëtarësimin e kompanisë në AKB.
Shahini theksoi se AKB-ja gjithmonë do të mbështesë investitorët dhe prodhuesit që sjellin produkte cilësore dhe inovative.
“AKB dhe Kosova do të jenë gjithmonë derë e hapur për prodhues serioz si Ambrella , duke promovuar cilësinë dhe inovacionin në tregun tonë,” tha Shahini.
Ai mirëpriti Ambrella në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur çdo iniciativë që sjell risi dhe cilësi në tregun kosovar.
“Mirë se vini në Kosovë me produktet tuaja dhe mirë se vini në AKB,” përfundoi Shahini.