Anulohet linja hekurudhore Prishtinë-Shkup

Kompania “Trainkos” ka njoftuar se ka ndërprerë linjën e transportit për udhëtarë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë nga data 13 mars deri më 27 mars 2020, për shkak të koronavirusit.

“Menaxhmenti i Hekurudhave të Kosovës Trainkos SH.A pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur sot ka vendosur që ta ndërpres Linjën ndërkombëtare në transportin e udhëtarëve në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë i cili niset nga Prishina në orën 07:10 dhe nga Shkupi në orën 16:10 duke filluar nga data 13.03.2020 deri me datën 27.03.2020”, ka njoftuar Trainkos..

Po ashtu sot është marrë vendim nga ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku, që të pezullohen përkohësisht të gjitha linjat ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia.

Ndërkaq, me vendim të qeverisë së Kosovës është formuar edhe një komision i veçantë për parandalimin e koronavirusit, me në krye Albin Kurtin.