Arrest shtëpiak për Agim Ademin

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Pas masës për ndalesë prej 48 orëve, Prokuroria Themelorë në Prishtinë kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj A.A., ne Gjykatën kompetente”, ka thënë Prokuroria për Paparacin.

Agim Ademi ishte intervistuar dje nga Policia e Kosovës, ndërsa pas intervistimit ndaj tij Prokuroria e Shtetit kishte vendosur masa për ndalesë prej 48 orëve.

Ademi ishte dërguar në QKUK për shkak se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte shumë e mirë dhe sipas Drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, Ademi do të qëndrojë edhe sot në klinikë.

Ademi ishte arrestuar dje nga Policia e Kosovës pas intervistimit. Ai dyshohet për kryerjen e dy veprave penale, “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në prill të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit, Policia e krimeve ekonomike dhe Inteligjenca doganore kanë nisur një hetim për donacionet e marra nga Federata e Futbollit e Kosovës në Ministrinë e Sportit.