Sunny Hill Festival

Ballkani e Prishtina fitojnë, Drita merr një pikë në Ferizaj

Me ndeshjen Ballkani-Dukagjini, që është zhvilluar në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet është përmbyllur java e katërt në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Pas arritjes historike në garat evropiane ku u kualifikuan në fazën e grupeve të UEFA Conference League, portokallezinjtë e Suharekës, kanë kryer me sukses edhe detyrën në kampionat, teksa e kanë mundur Dukagjinin e Klinës, me rezultat të ngushtë, 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Qëndrim Zyba, në minutën e 36-të, duke ia dhuruar tri pikë të reja skuadrës së tij në këtë edicion. Për Ballkanin kjo ishte fitorja e dytë në po aq takime të luajtura, derisa për Dukagjinin kjo ishte humbja e tretë në katër ndeshjet e deritashme.

Prishtina e ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive në fillim të këtij edicioni në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nga kryeqyteti, ka shënuar fitore, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” si mysafire e Llapit,me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së katërt. Për skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi kjo është fitorja e dytë në tri takimet e luajtura deri më tash, ngase ndeshja e javës së tretë me Dritën është shtyrë. Për fitoren e Prishtinës realizuan Kreshnik Uka nga penalltia, në minutën e 14-të dhe Endrit Krasniqi, në minutën e 58-të.

Ndërkaq, golin e vetëm për llapjanët e shënoi Trimror Selimi, në minutën e 75-të.

Në ndeshjen tjetër, Ferizaj – Drita, nuk pati fitues, pasi kjo përballje u mbyll baras 1:1. Drita kaloi e para në epërsi me golin e Besnik Krasniqit, nga penalltia, në minutën e 68-të, teksa një pikë ferizajasve ia siguroi Egzon Shabani, me golin e shënuar në minutën e 85-të, po ashtu nga pika e 11-metërshit.

Krejt në fund të ndeshjes Ferizaj shënoi nëpërmjet Ramush Ramadanit, por pas rishikimit të VAR-it goli doli të ishte i parregullt për shkak të pozitës jashtëloje.