Bankat të gatshme për t’i zbatuar propozimet e Qeverisë

Shoqata e Bankave të Kosovës është shprehur e gatshme që të bëhen partnerë të propozimeve të Qeverisë së Kosovës në gjithë përpjekjet për tejkalimin sa më të shpejtë dhe efikas të gjendjes ekzistuese.

Kjo është thënë gjatë një takimi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me një delegacion nga ministra e Financave dhe Transfereve, zhvilloi me drejtorët ekzekutivë të të gjitha bankave komerciale në Kosovë.

Kurti, siç bën me dije komunikata e Kryeministrisë, i njoftoi përfaqësuesit e bankave komerciale të Kosovës për situatën në të cilën ndodhet vendi pas shpalljes së gjendjes së emergjencës dhe po ashtu u thuhet se janë shtjelluat edhe implikimet që dalin për sistemin financiar të vendit.

“Përfaqësuesit e bankave komerciale treguan gatishmëri maksimale që të bëhen partnerë në gjithë përpjekjet për tejkalimin sa më të shpejtë dhe efikas të gjendjes ekzistuese, dhe gjithashtu informuan për veprimet që ata kanë ndërmarrë për të akomoduar vendimet e qeverisë në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Në takim, sipas njoftimit, është konstatuar se sistemi bankar i Kosovës ka likuiditet të mjaftueshëm dhe depozitat e qytetarëve janë të sigurta. “Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk pritet të ketë asnjë kufizim në disponibilitetin e parasë së gatshme në ekonomi. Andaj qytetarët dhe depozituesit mund të jenë të qetë në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë, siç bën me dije më tej komunikata e Kryeministrisë, janë të vetëdijshëm që brenda sektorëve të caktuar të ekonomisë, një numër biznesesh që përdorin instrumente financiare të sistemit bankar mund të përballen me vështirësi të përkohshme për mbulim të kësteve mujore të kredive.

“Bankat e vendit do ta trajtojnë me kujdes secilin rast dhe do të dalin në ndihmë bizneseve në vështirësi përmes trajtimit miqësor të vonesave eventuale, duke mos llogaritur asnjë kamatë ndëshkuese për vonesa. Kjo pastaj do të ruajë edhe rejtingun kreditor të bizneseve”, thekson komunikata.

Më tej thuhet se ministria e Financave ka filluar punët për gjetjen e zgjidhjes për ekzekutim të parakohshëm të skemave pensionale dhe pastaj edhe atyre sociale, në mënyrë që të evitohen radhët e qytetarëve para sporteleve bankare.

“Duke qenë se skema pensionale shkon tek ato shtresa të qytetarëve tanë që janë mbi proporcionalisht të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit me koronavirus, është shumë me rëndësi që të gjendet një modalitet që redukton në maksimum ekspozimin e të moshuarve. Këtu përfshihet kërkesa që sa më shumë përfitues të përdorin transferet elektronike bankare ose makinat automatike për tërheqjet e parave. Kurdo që është e mundur të shtyjnë tërheqjen deri në momentet më të përshtatshme”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, theksohet se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë që të jetë në vazhdimësi i angazhuar për zhvillimin e sistemit bankar dhe për të siguruar që ky sistem të bëhet pjesë integrale e zgjidhjes së vështirësive nëpër të cilat po kalojmë këto ditë e këto javë.