Vushtrria gati edhe nëse i duhet të hyjnë në karantinë

Komuna e Vushtrrisë tashmë ka filluar punën me kapacitete të plota duke marrë të gjitha masat e nevojshme pas shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore, si pasojë e paraqitjes të koronavirusit, në disa qytete të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë për Telegrafin se janë të gatshëm dhe do t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që po presin rezultatin e analizave për personin nga Vushtrria i cili dyshohet se është i infektuar me COVID-19.

Tahiri ka thënë se në momentin që është shpallur gjendje emergjente shëndetësore, ata janë duke punuar me kapacitete të plota. “Do t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, jemi tash në gjendje emergjente shëndetësore, i kemi marrë të gjitha masat dhe Shtabi Emergjent Lokal anti-Covid 19 është duke punu me kapacitete të plota, janë caktu edhe nëse ka nevojë eventualisht për karantinë, është caktu edhe lokacioni”, tha Tahiri.

Shtabi Emergjent Lokal i Komunës së Vushtrrisë sipas Tahirit është duke punuar vazhdimisht në këtë aspekt dhe ngritja e tendave në Qendrat e Mjekësisë Familja kanë filluar.

“Janë duke u ngrit tenda në oborret e Qendrave të Mjekësisë Familjare që të dyshuarit të kontrollohen njëherë në tenda sipas rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe po ashtu janë marrë të gjitha masat tjera, jemi duke e shfrytëzuar kontratën komunale për furnizim me barëra dhe dezinfektim për të gjitha objektet”, tha Tahiri për Telegrafin.

Ai ka treguar se janë duke i pritur analizat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për personin nga Vushtrria i cili dyshohet se është i infektuar me COVID-19.

Ndryshe, tashmë numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 15 në Kosovë.