Bayerni i ofron kontratë mikut të Manes që ishte shofer i tij

Prejse Sadio Mane iu bashkua Bayern Muenchenit nga Liverpooli, miku i tij i ngushtë, Desire Segbe Azankpo, e ka vozitur vazhdimisht për në stërvitje tek ekipi gjerman, ka shkruar “Bild” të hënën.

Çdo ditë në orën 08:15, Mane është sjellë me veturë në parkingun nëntokësor të qendrës stërvitore të Bayernit në “Sabener Strasse”.

Superylli Mane ka shkuar në fushë për t’u stërvitur, ndërsa Azankpo është kthyer prapa me veturë. Ndonëse, edhe ai është sulmues, Azankpo nuk është stërvitur, por është kujdesur për ta vozitur Manen. Mirëpo, në ditët e fundit është vërejtur se Mane nuk po e sjell më në stërvitje dhe nuk po e kthen në shtëpi miku i tij.

Azankpo ishte lejuar t’i shikonte stërvitjet e mbyllura të Bayernit nga zyra e drejtuesve të Bayernit, përkrah zyrtarit Johannes Moesmang. E kjo ishte bërë me një qëllim të caktuar. Pas asaj stërvitjeje, sulmuesi Azankpo i ka siguruar vetes kontratë me skuadrën bavareze.

Sulmuesi nga Benini ka firmosur kontratë deri në vitin 2024 me ekipin e dytë të Bayernit. Tani, Azankpo mund ta dëshmojë veten në ekipin e drejtuar nga Martin Demichelisi, i cili luan në ligën regjionale të Bayernit. E ndikim në këtë kontratë ka pasur Mane, i cili mësohet se ka kërkuar nga drejtuesit e Bayernit që t’ia japin një mundësi Azankpos.

Ai ka qenë pa klub që nga fillimi i muajit të shkuar kur u largua nga USL Dunkerque, ekip që bën garat në kategoritë e ulëta të futbollit në Francë. Mane dhe Azankpo janë shokë të mirë që nga fëmijëria. Rrugëtimin e tij deri në majat e futbollit, Mane e ka bërë përkrah mikut të tij më të mirë, i cili edhe ka qenë një figurë e rëndësishme në jetën e sulmuesit nga Senegali. Pavarësisht se të dy kishin një trajektore të ndryshme në futboll, ata e filluan karrierën së bashku në Akademinë e famshme “Generation Foot” në Senegal.

Lidhja vëllazërore mes dyshes i ka parë ata të kalojnë pjesën më të madhe të kohës së bashku që nga fillimi në “Generation Foot” e deri te shpërngulja në Francë dhe madje edhe në Angli. Sulmuesi nga Senegali ka deklaruar në disa intervista se si beninisti ka qenë një figurë kyç në karrierën e tij, megjithëse ata luajtën së bashku vetëm në akademinë “Generation Foot” dhe te FC Metzi në Francë. Mane dhe Azankpo u takuan për herë të parë pasi sulmuesi i Beninit u zbulua si talent dhe u dërgua në Senegal për t’u bashkuar me senegalezin tek akademia “Generation Football”.

Sulmuesi aktual i Bayernit, i cili ishte jashtëzakonisht i talentuar u largua për në Francë si produkti i parë i Akademisë për t’iu bashkuar Metzit. Në Metz, Mane i kërkoi klubit të sillte shokun e tij në Francë për t’u bashkuar me të. Metz i dha Azankpos mundësinë për t’u provuar, ku ai u bashkua me ekipin B.

Më vonë, Mane do të transferohej në Austri, te skuadra e Salzburgut, kurse Azankpo do të qëndronte në Francë. Fati do ta ribashkonte dyshen edhe një herë, pasi Azankpo u transferua tek Oldham Athletic në vitin 2019, ndërsa Mane luante për Liverpoolin. Mane kishte qenë në Angli prej vitesh përpara se të vinte miku i tij.

Të dy lojtarët ndanë strehimin së bashku në Angli. Periudha e suksesshme e Manes në Angli e pa atë të largohej në verën e këtij viti, por Azankpo ishte larguar tashmë për në Francë, ku e kaloi vitin e fundit tek ekipi Dunkerque. Mane iu bashkua Bayernit dhe gjatë prezantimit dhe stërvitjes së tij të parë te bavarezët, Azankpo ishte me të. Megjithatë, sulmuesi pothuajse i panjohur nuk e kishte idenë se më vonë do t’i bashkohej ekipit të dytë të Bayernit.