BE-ja dënon sulmin ndaj policisë në veri, kërkon të shmangen tensionet

Bashkimi Evropian ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së premtes në veri.

Në një përgjigje për Kohën, Zyra e BE-së në Kosovë e quajti të papranueshëm këtë sulm.

“Bashkimi Evropian në Kosovë dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë Kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka bërë thirrje që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse të zbatimit të ligjit.

Përgjatë tri ditëve, nga 13 deri më 15 prill, në pikat kufitare në veri të vendit janë sulmuar katër herë policët e Kosovës.

Fillimisht automjeteve të tyre u janë vënë iriqë xhemborë në rrugën nga kanë kaluar. Në sulmin e dytë u gjuajtën me gurë, gjatë sulmit të tretë janë dëgjuar rafalë të shkurtër me rreth 30 fishekë që dyshohet se kanë qenë nga territori i Serbisë. Sulmi i katërt ndodhi të premten në mëngjes, ku patrullat janë sulmuar me granatë dore dhe armë zjarri AK-47.