Sunny Hill Festival

Bizneset kërcënojnë me bllokadë të rrugëve nëse ZRRE nuk pezullon vendimin për rrymën

Sot përfundon afati 10-ditor që komuniteti i bizneseve i kishte dhënë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për pezullimin e vendimit që i detyron kompanitë të furnizohen me energji nga tregu i hapur, raporton Ekonomia Online.

Ky afat u vendos më 11 qershor, gjatë protestës së dytë të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ku qindra përfaqësues të ndërmarrjeve të mëdha paralajmëruan masa më të ashpra në rast se kërkesat e tyre injorohen.

Me skadimin e këtij afati, përfaqësuesit e bizneseve paralajmërojnë protesta të reja, përfshirë bllokimin e rrugëve nacionale dhe autostradave, nëse ZRRE nuk reagon.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha për Ekonomia Online se vendimi i ZRRE-së po rrezikon mijëra vende pune dhe ka dëmtuar rëndë imazhin dhe funksionimin e kompanive të mëdha në Kosovë.

“Dy protestat e organizuara nga komuniteti i bizneset dhe të mbështetura nga organizata ekonomike dhe nga Aleanca e Biznesit kanë pasur të vetmin qëllim: të zbrapset vendimi i ZRRE-së, ku bizneset e fuqishme, i nxjerr në një treg të hapur dhe tregu i hapur dhe i lirë është shumë i shtrenjtë. Me këtë është duke na rrezikuar bizneseve me më shumë se 143 mijë punëtorë dhe që kompanitë mund të ulin numrin e të punësuarve”, tha Shahini.

Sipas tij, përmes këtij vendimi, po dërgohet sinjali se në Kosovë mbështeten vetëm ndërmarrjet e vogla, ndërsa vendit i nevojiten korporata të mëdha.

“Po rrezikohet imazhi i kompanive të fuqishme dhe me këtë ne po tregojmë se ne kemi politikën vetëm për të zhvilluar kompanitë e vogla, jo të mëdha. Kurse në Kosovë kemi nevojë për korporata të fuqishme”, shtoi ai.

Shahini njoftoi se pas protestave të mëhershme, KEK-u ka ofruar furnizim me energji për gjashtë muajt e ardhshëm për bizneset, por me çmim të tregut të hapur, që sipas tij është ende shumë i lartë dhe i papërballueshëm për kompanitë.

“Ne kemi dhënë një afat shtesë 10-ditor dhe kjo kohë ka përfunduar dhe në javën e ardhshme do të ulemi të diskutojmë për hapat e ardhshëm me komunitetin e biznesit”, tha ai.

Në rast se kërkesat nuk merren parasysh, Shahini tha se mund të realizohet një protestë gjithëpërfshirëse dhe në këtë kuadër edhe bllokimin e rrugëve kryesore dhe autostradave të vendit nga ana e bizneseve.

“Ne do të vazhdojmë me protesta. Kërkesat e komunitetit të bizneseve në Kosovë janë që të bllokohen krejt rrugët e Kosovës, duke përfshirë edhe autostradën, me të gjitha makineritë potenciale që i kanë. Ne jemi duke shqyrtuar këtë kërkesë të tyre dhe me siguri që nëse një kërkesë e tillë do të miratohet nga gjithë ne organizatorët, atëherë ekonomia e vendit do të pësojë humbje të mëdha”, tha Shahini.

Ai vuri në dukje se vetëm nga dy protestat e kaluara, humbjet për ekonominë janë llogaritur në 10 milionë euro.