Xhavit Haliti

Bordi i Paqes për Gazën: SHBA vendos standarde globale, BE mbetet në heshtje

Krijimi i Bordit të Paqes për Gazën nga administrata amerikane nën drejtimin e Donald Trump nuk është vetëm një iniciativë humanitare, por një veprim me peshë të theksuar politike dhe gjeostrategjike, vlerëson Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).

“Ky bord po shndërrohet në një mekanizëm kyç për koordinimin e rindërtimit të Gazës pas shkatërrimeve të luftës, duke e vendosur SHBA-në në qendër të vendimmarrjes globale”, thekson Shahini.

Ai vëren se, ndryshe nga pritshmëritë, pjesëmarrja e vendeve të Bashkimit Evropian ka qenë minimale, me përjashtim të Bullgarisë dhe Hungarisë. “Heshtja evropiane tregon mungesë vizioni dhe gatishmërie për të kontribuar në stabilitetin rajonal, duke ia lënë SHBA-së rolin e përcaktimit të standardeve dhe ritmit të procesit”, shton Shahini.

Sipas tij, një element me rëndësi të veçantë është edhe pjesëmarrja e Kinës dhe Rusisë, që dëshmon ndikimin e SHBA-së edhe mbi rivalët e saj globalë. “Trump po vepron si një udhëheqës strategjik global, duke përdorur rindërtimin si instrument diplomatik për vendosjen e standardeve ndërkombëtare”, deklaron Kryetari i AKB-së.

Shahini përmend gjithashtu angazhimin e Kosovës dhe Shqipërisë në këtë bord, duke vlerësuar se, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara financiare, ky angazhim rrit peshën diplomatike të dy vendeve në arenën ndërkombëtare.

“Mesazhi është i qartë: Bordi i Paqes për Gazën nuk është vetëm humanitar, por një mjet politik dhe gjeostrategjik që fuqizon SHBA-në dhe dëshmon se diplomacia, politika dhe strategjia janë të pandashme”, përfundon Agim Shahini.