Borxhi i Telekomit arrin në mbi 41 milionë euro

Humbja e betejës së dytë ligjore ndaj kompanisë “Z-Mobile” do ta rëndojë situatën financiare të Telekomit të Kosovës.

Me vendimin e Arbitrazhit që detyron Telekomin t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shumën prej 13.5 milionë eurosh për mosvazhdim të kontratës, borxhi i ndërmarrjes publike do të arrijë vlerën e 41.4 milionë eurove.

Sipas Feim Kelmendit, ushtrues detyre i zyrtarit kryesor të financave dhe Thesarit në Telekom, nëse zbatohet vendimi i fundit do ta vështirësojë gjendjen në limite të operimit të kompanisë.

Ka treguar për borxhet që ka ndërmarrja.

“Struktura e borxhit është 13.6 milionë borxhe të ATK-së dhe Trustit, 6 milionë ndaj furnitorëve të ndryshëm, 8.3 milionë ndaj Z-Mobile dhe 13.5 në bazë të vendimit të arbitrazhit. Gjendja financiare, nuk ka qenë e mirë edhe pa këtë vendim. Kompania ka ngarkesë të madhe të borxheve edhe pa këtë vendim. Ka mungesë të investimeve për një kohë të gjatë”, ka thwnw Kelmendi.

Telekomi ende vuan pasojat e Arbitrazhit të parë që humbi me “Z-Mobile” në dhjetor 2016, në bazë të të cilit u detyrua që të paguajë dëmin në vlerë prej 38 milionë eurosh.

Borxhi nga procesi i parë është rreth 7.6 milionë euro.

Këto dëme, sipas Telekomit, janë “faturë” e politikës dhe siç ka thënë e grupeve të interesit jashtë dhe brenda ndërmarrjes.

“Grupet e interesit janë kompanitë si rasti konkret i ‘Z-Mobile’ që kanë shfrytëzuar lidhje të ndryshme që kanë arritur ta fusin Telekomin në një kontratë që nuk ka rrugë tjetër të daljes përveç pësimit të dëmit. Çdo kompani që ka shkaktuar dëme nuk ka se si të quhet ndryshe përveç grup i interesit. Edhe ata që kanë qenë brenda dhe që mund të ketë njerëz brenda”, ka shtuar ai.

Kompania “Z-Mobile” krahas Telekomit në Arbitrazh ka paditur edhe Qeverinë, proces ky që është duke vazhduar.

“Ndërmarrjet tona publike janë degraduar në masë të madhe nga kontrata të dëmshme, të cilat i kanë kushtuar me miliona buxhetit të shtetit, përveç kësaj kemi pësuar edhe në rastet e Arbitrazhit, siç është Arbitrazhi i parë, sepse në Arbitrazhin e dytë Telekomi nuk e ka vazhduar kontratën zhvatëse”, u shpreh Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

Përgjegjësi për proceset e zhvilluara dhe llogari për dëme financiare milionëshe në Telekom ka kërkuar edhe Federata Sindikale e Punëtorëve të PTK-së.

Ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që zhvatjen e miliona eurove ta paguajnë punëtorët.