BQK: Rritet vlera e kredive nga mikrofinancat në korrik, mbi 60% e tyre për ekonomitë familjare

Vlera e kredive të lëshuara nga mikrofinancat ka shënuar rritje për korrik 2023 dhe se bruto kreditë për këtë muaj kanë arritur në rreth 330 milionë euro.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për seritë kohore bankare për muajin korrik, duke shtuar se rreth dy e treta kredive të lëshuar nga këta ndërmjetësues financiar janë ndaj ekonomive familjare.

“Bruto kreditë e ndërmjetëseve tjerë financiar shënuan vlerën për rreth 328.6 milion euro në korrik 2023, rritje për 7 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e kredive të aktivitetit të sektorit financiar”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

“Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, theksohet në këtë raport.

Sipas institucionit më të lart financiar në vend, astetet e fondeve pensionale, për këtë periudhë, kanë arritur vlerën e 2.6 miliardë eurove.

“Asetet e fondeve pensionale arritën vlerën prej 2.6 miliardë euro, e cila përfaqëson një rritje prej 66.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”, thotë BQK.

Aty thuhet se struktura e aseteve të këtij sektori dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit dhe se rritja e tyre i atribuohet performancës pozitive të letrave me vlerë ekzistuese.

“Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit që përbejnë 76.4 për qind të gjithsej aseteve. Vlera e tyre, në korrik 2023, ka arritur në 1.99 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 225.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes së investimeve jashtë vendit, por njëkohësisht është vërejtur se ka pasur rritje të performancës së letrave me vlerë ekzistuese të cilat janë investuara me herët”, vijon raporti mbi serititë kohore bankare, shkruan Telegrafi.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ka pohon brenda kësaj periudhe ka pasur rënie prej mbi 2 milionë eurove.

“Asetet e Kompanive të sigurimit arritën vlerën 296.3 milionë euro, e cila përfaqëson një rënie prej 2.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale që përbejnë 44.9 për qind, letrat me vlerë dhe asetet tjera përbejnë 28.5 për qind të aseteve”, pohon BQK-ja.