Mbi 51 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore deri të hënën

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka njoftuar se deri të hënën, mbi 50 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kelmendi ka thënë se numri i aplikimeve në platformën e-Kosova deri në mëngjesin e së hënës ka arritur në 51,200.

“Në platformën e-Kosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri sot në ora 09:00 janë pranuar 51,200 aplikime”, ka shkruar ai.

Javën e kaluar, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave.

Sipas ministrisë, për prindërit e nxënësve të klasave 1-5, do të ndahen nga 80 euro.