Çitaku i gabuar emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare e Kurtit: Përçan shqiptarët

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është hap i gabuar dhe i dëmshëm.

Çitaku shkroi në Facebook të martën, se sikur Kurti të ishte i sinqertë, nuk do ta emëronte Sinanin për shkak se ajo është kryetare e një subjekti politik në Preshevë.

“Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, shkroi ajo.

Sipas nënkryetares së PDK-së, Qeveria nuk duhet t’i përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata.

Kurti e emëron ish-kryetaren e Presheves, Këshilltare për Luginë

“Fatkeqësisht, qasje të njëjtë destruktive e tendenca përçarëse kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë ne skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj. Më vjen keq që zonja Sinani ka pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë”, tha tutje Çitaku.

Emërimi i Sinanit si këshilltare politike u bë i ditur të hënën nga kryeministri Kurti. Atw e kritikoi edhe Shqiprim Arifi, kryetar i Preshëves.