Çitaku i kërkon Kurtit ta shkarkojë Berishajn: Prapa tij fshihet lidhja e pushtetit me mafinë energjetike

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që ta shkarkojë nga detyra e ambasadorit, Martin Berishajn.

Sipas saj, ambasadori i Kosovës në Kroaci është i përfshirë në aferë me transaksione të dyshimta që e lidhin atë me kompaninë GEN.

Çitaku tha se ambasadori Berishaj nuk ka qenë i sinqertë as në Komisionin Hetimor Parlamentar, pasi sipas saj, dje mediat në vend raportuan për të dhëna faktike në lidhje me veprimtarinë komerciale të tij me GEN-in.

“Për këto të dhëna Berishaj nuk ka qenë i sinqertë gjatë paraqitjes së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar. Ambasadori Berishaj në Komisionin Hetimor duket se ka bërë deklarata të rrejshme dhe kjo në vetëvete është vepër penale”.

“Sipas këtyre të dhënave, në llogarinë e Berishajt, kompania GEN ka hedhur 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat Berishaj s’i ka raportuar në Komisionin Parlamentar”, është shprehur Çitaku.

Tutje, Çitaku tha se në media të huaja ka pasur raportime se kompania GEN, në kuadër të shpërndarjes së parave përmes kontabilitetit fiktiv, ka financuar edhe fushatën zgjedhore të kryeministrit Albin Kurti, ku siç tha ajo “për koincidencë, periudha kur mendohet se GEN ka financuar këto fushata përfshin periudhën kur Berishaj kishte tërhequr mjetet e deponuara nga GEN-i në llogarinë e tij”.

E dyta e PDK-së, më tej tha se prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhje e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit.

“Por në dimensionin e lidhjes që i bën bashkë Albin Kurtin dhe Martin Berishaj, e cila është pengesë për t’i hapur rrugë përgjegjësisë e së vërtetës, një gjë është shumë e qartë, prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhje shumë e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Jemi të bindur se për të shërbyer si ambasador është tema e fundit për të cilën preokupohet Martin Berishaj e për të cilën mendon Albin Kurti”.

“Megjithatë, ajo çfarë ne duhet të insistojmë është se nga kjo aferë e deri sa e njëjta të zbardhet deri në fund, imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej, prandaj kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre hetuese si dhe nga institucionet përgjegjëse, që Martin Berishaj të shkarkohet menjëherë nga detyra”.