Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, do ta përfaqësojë legjislativin në grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur pas mbledhjes së Kryesisë se në këtë proces do të përfshihen edhe ekspertë të fushës dhe se veprimet institucionale do të koordinohen me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, me synimin që kontributi i institucioneve të ketë ndikim konkret në procesin gjyqësor.
Haxhiu tha se Kuvendi do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Çitakun, ndërsa theksoi se prioritet duhet të jetë hartimi i strategjisë dhe bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse, e jo veprimet që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në proces.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, njoftoi se këtë parti në grupin punues do ta përfaqësojë deputeti Adnan Rrustemi. Ajo tha se ai, në bashkëpunim me organizatën, do të japë kontributin e tij në hartimin e strategjisë.
Nga Aleanca, në grupin punues do të jetë deputeti Bekë Berisha, bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri. Ai tha se do të kërkojë që Kuvendi ta përmbushë përgjegjësinë e tij shtetërore dhe kombëtare në këtë proces.
Më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim: Hashim Thaçin me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.