Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar që pas bllokadave institucionale, vëmendja të përqendrohet te zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi përtej dallimeve politike. Sipas tij, funksionalizimi i institucioneve duhet të pasohet me reforma dhe angazhim të njerëzve me përvojë në interes të shtetit.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Rafuna tha se pasiguria politike gjatë dy viteve të fundit ka ndikuar te bizneset dhe vendimet e tyre për investime.
Ai vlerësoi se funksionalizimi i institucioneve ka sjellë lehtësim te sektori privat, por theksoi se tani priten veprime konkrete për ta çuar përpara agjendën ekonomike.
“Siguria juridike dhe siguria politike janë parimet bazë për investime”, deklaroi Rafuna.
Sipas tij, bllokadat institucionale kanë penguar edhe reformat, të cilat kërkojnë miratimin e ligjeve të reja ose ndryshimin e atyre ekzistuese. Ai kërkoi që institucionet ta shfrytëzojnë këtë periudhë për një bashkëpunim më të ngushtë me sektorin privat.
“Ne duhet të ecim, sepse kemi humbur shumë kohë si Kosovë. Duhet të ecim shumë, shumë shpejt përpara”, u shpreh ai.
Duke folur për nevojën e bashkëpunimit, Rafuna theksoi se interesi shtetëror duhet të jetë në qendër të angazhimit gjatë katër viteve të ardhshme.
“Është shumë i nevojshëm dhe nuk mund të ecet përpara pa këtë bashkëpunim. Po e them me përgjegjësi të plotë dhe është opinioni im personal: në katër vitet e ardhshme do të jetë shteti në pyetje. Jo pushteti, shteti”, deklaroi ai.
Në këtë kontekst, Rafuna përmendi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se drejtuesi i Qeverisë duhet t’i angazhojë njerëzit me përvojë dhe t’u japë përgjegjësi konkrete në interes të vendit.
“Po të isha në vend të kryeministrit Kurti, do t’i thërrisja të gjithë njerëzit që kanë përvojën më të madhe të mundshme”, tha Rafuna.
Ai shtoi se secilit duhet t’i përcaktohen qartë detyrat, duke kërkuar angazhim të përbashkët për ta çuar vendin përpara, pavarësisht bindjeve politike.
Për ta ilustruar këtë thirrje, Rafuna përsëriti edhe një qëndrim që, siç tha, e përdor shpesh.
“Unë nuk e dua Kosovën më shumë se dikush tjetër, por nuk besoj as që dikush tjetër e do Kosovën më shumë se unë”, deklaroi ai.