Afro tre vjet ka zgjatur procesi në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Në seancën e fundit, të katërtit, në deklaratat përmbyllëse u deklaruan të pafajshëm. Mbrojtja e tyre ka kërkuar lirimin, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen.
Ka mbetur vetëm fjala e gjyqtarëve të Speciales, përpara se t’i jepet epilog rastit më të madh që trajtohet në gjykatën me seli në Hagë. Në procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi paraqitën të mërkurën fjalët finale. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.
Thaçi i tha trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.
“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ai.
Ai tha se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
“Fakti që jemi gjallë ishte rastësi dhe fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet. Ata shtypeshin nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja”, ka thënë Thaçi.
Sikurse Hashim Thaçi, edhe Kadri Veseli tha se u kthye nga mërgimi në Kosovë. Ai tregoi se vendimin për këtë e mori në kohën sa studionte në Universitetin e Fribourgut në Zvicër, kur ndodhën masakrat e para, në Likoshan e Prekaz. Veseli shprehu besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.
“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”, u shpreh Veseli.
E, gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Megjithëse, prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal”, tha Selimi.
Edhe Jakup Krasniqi tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.
“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e vetë këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzë”, tha Krasniqi.
Para fjalës përfundimtare të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale folën avokatët e tyre. Që të gjithë kërkuan vendim lirues nga gjykata, e avokati i Veselit i quajti bërllok provat e Prokurorisë.
Lirimin e të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, e kërkuan avokatët e tyre në fjalën e fundit para trupit gjykues në Hagë.
Rodney Dixon, i cili e mbron ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, theksoi se dëshmitë e disa prej dëshmitarëve nuk janë ballafaquar para gjykatës dhe janë të mbushura me thashetheme.
“Janë 15 faqe ku kemi treguar se si provat e bazuara në thashetheme janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë aspak që z. Veseli të ketë qenë i përfshirë në një veprimtari, e jo më tej të ketë qenë i pranishëm fizikisht kur diçka ka ndodhur”, tha Dixon.
E avokati Luka Mishetiq, që mbron ish-presidentin Hashim Thaçi, tha se po të kishte prova konkrete prokuroria do t’i citonte ato para gjykatës e jo vetëm të jepte referenca në prova.
“Çfarë lidhje kishte Thaçi me komunikatat? Ne ende nuk e dimë se çfarë lidhje ka mes këtyre dyve… Cilat prej tyre kanë kontribuuar në krimet në aktakuzë. Edhe sot e kësaj dite ne nuk e dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në vend që të na jepte përgjigje, prokuroria na dha disa citime të numrave të provave materiale dhe këtë prokuroria nuk e bëri, sepse s’kishte kohë, por ishte e qëllimshme”, tha Mishetiq.
Avokati i ish-deputetit Rexhep Selimi, Goeffrey Roberts, theksoi se as prokuroria nuk i beson rastit të saj.
“Paaftësia e prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor sa edhe befasuese. Madje edhe paaftësia për të ngritur pika të tjera lidhur me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë prokuroria në argumentet e veta”, deklaroi Selimi.
E avokati i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Aidan Ellis, akuzoi Prokurorinë për shtrembërim dëshmish të dëshmitarëve që i ka propozuar vetë.
“Prokuroria zgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj ndërkohë që nuk mori fare parasysh sqarimet me gojë, si dhe dëshmitë shfajësuese të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarët e prokurorisë. Kjo nuk është analizë, ky është shtrembërim. Trupi gjykues nuk duhet të orientohet drejt preferimit të fragmenteve të përzgjedhura me shkrim dhe të mos marrë parasysh dëshmitë e dhëna nën betim para trupit gjykues”, tha Ellis.
Kryegjykatësi Charles Smith III e ka shpallur të mbyllur çështjen gjyqësore pas deklaratave përmbyllëse që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, i dhanë para trupit gjykues. Gjykatësi tha se do të jetë në kontakt me palët në muajt në vijim lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.