Corriere della Serra për Yll Limanin: Historia e një ylli shqiptar të pop-it

“Yll Limani do të debutojë në Itali me një koncert në ChorusLife Arena më 3 tetor, që përbën të vetmen datë në Itali të turneut të tij.”

Kështu e nis artikullin media italiane Corriere della Serra për një nga yjët e muzikës pop shqiptare, teksa ka shkruar dhe rrugëtimin artistik të Limanit.

“Bir artistësh, babai i tij ka qenë pjesë e një grupi të njohur shqiptar në vitet ’80. Limani, i lindur në vitin 1994, ka lindur në Kosovë në një familje shqiptare dhe sot është ndër artistët më të ndjekur në Evropën Juglindore, duke udhëhequr dhe frymëzuar një brez të ri muzikantësh.

Karriera e tij nisi me pjesëmarrjen në sezonin e parë të The Voice of Albania në vitin 2011, e më pas me pjesëmarrjen në Festivali i Këngës 2016, një festival që mund të krahasohet me Festivalin e Sanremos në Itali për nga rëndësia dhe tradita, ku u rendit i treti. Rritja e tij ka qenë e vazhdueshme: sot ai numëron rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa këngët e tij më të njohura arrijnë miliona transmetime. ‘Malli’, për shembull, ka më shumë se 30 milionë transmetime”, shkruhet më tej në median italianë.

Rëndësi të veçantë iu kuhstua dhe stilit të tij muzikor dhe sukseset e mëtëjshme ndërkombëtare të këngëtarit.

“Stili i tij muzikor vlerësohet për zërin melodik dhe aftësinë për të ndërthurur zhanre të ndryshme. Në fillimet e karrierës, ai i bëri të njohura aftësitë e tij vokale përmes baladave të ngadalta dhe romantike, për t’iu afruar më pas tingujve më pop dhe R&B.

Turneu ‘Thirrëm Sot ose Nesër’, i cili mban emrin e albumit të tij të fundit dhe do të thotë ‘Më telefono sot ose nesër’, do ta çojë, së bashku me grupin e tij, në Maqedoninë e Veriut dhe në Gjermani, ku është ngjitur disa herë në skenë. Për herë të parë do të performojë edhe në Britaninë e Madhe, me një ndalesë në Londër, si dhe në Itali, në Bergamo, qytete që kanë komunitete të mëdha shqipfolëse. Më pas, turneu do të kapërcejë kufijtë e Evropës për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: më 5 dhjetor, Limani do të jetë në Nju Jork. Me këtë turne, Yll Limani hap një kapitull të ri në zhvillimin e tij artistik, duke vijuar të ndikojë në skenën muzikore shqiptare. Ajo që e bën të vlerësuar si në vendlindje, ashtu edhe jashtë saj, është aftësia për të ndërthurur tingujt pop me melodi më tipike tradicionale, duke ruajtur një lidhje të fortë me origjinën e tij”, shkruan Corriere della Serra.

Përveç karrierës, Corriere della Serra shkruan dhe për atdhedashurinë e Limanit, teksa kujton pjesëmarrjen e tij në protesta kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.

“Së fundmi, ai mori pjesë në protestat që për disa ditë u zhvilluan në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, duke u rreshtuar me protestuesit kundër vendimeve të Gjykatës së Hagës në proceset ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të lidhura me luftën e fundit të viteve ’90. Për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, muzika e Yll Limanit përfaqëson një lidhje kulturore dhe një zë që ka arritur të gjejë hapësirë edhe jashtë kufijve”, përfundon artikulli italian.