Gjykata Kushtetuese e publikoi dje aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e PDK-së, ku konstatoi se Kuvendi u konstituua pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.
Kushtetuesja tha se deri më 8 gusht ishte afati për konstituimin e Kuvendit dhe prej asaj dite ka nisur të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Kështu, Kushtetuesja tha se ky afat “përfundon më 6 tetor 2026”. Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Në aktgjykim, Kushtetuesja i jep një vërejtje të kujdesshme ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila e thirri seancën konstituive në ditën e 29-të të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“Në kuptim të procedurës së zhvilluar, Gjykata fillimisht vëren që Seanca Konstituive nga U.d. Presidentja është thirrur të mbahet në ditën e 29-të pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ. Thënë këtë, Gjykata vë në dukje se çështjen e afatit kushtetues, përkatësisht afatin tridhjetë (30) ditor të specifikuar edhe në paragrafin 1 të nenit 66 e kishte për objekt shqyrtimi edhe në rastin KO124/25”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata, kujton se “vetë struktura e kësaj
dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e Seancës Konstituive brenda afatit tridhjetë
(30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet
ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”.
Kushtetuesja theksoi se nenet kushtetuese përcaktojnë se “Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se “përderisa funksionimi demokratik i institucioneve shtetërore është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike, të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizim publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin”.
Kushtetuesja ua kujtoi deputetëve se mund ta thërrasin edhe vetë seancën e parë për konstituimin e Kuvendit.
“Për këtë qëllim, paragrafi 3 i nenit 66 të Kushtetutës në mënyrë të qartë përcakton mundësinë që në rast se Presidenti nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit. Thënë këtë, Gjykata vlerëson se një detyrim për thirrje të Seancës Konstituive të Kuvendit përveç se bie në përgjegjësinë e Presidentit bie edhe në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, të cilët kanë fituar besimin e popullit për të konstituuar dhe themeluar organet kushtuese, siç në rrethanat konkrete është Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.
Me kërkesë të kryeministrit, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit që kishte nisur më 6 gusht ishte ndërprerë dy herë radhazi ato ditë, kur ai nuk e propozonte kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Kuvendi u konstitua më 13 shtator, përtej afatit.