Costa: Plani i Rritjes, mundësi e madhe për Kosovën

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është mundësi e madhe për Kosovën.

Ai tha se është thelbësore që të vazhdohet puna për zbatimin e agjendës së reformave, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky plan.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj sa duhet se sa i rëndësishëm është zgjerimi për Bashkimin Evropian, por besoj edhe për vendin tuaj. Ai është një investim në paqe dhe stabilitet, i cili sjell përfitime të konsiderueshme për qytetarët tuaj”.

“Siç e dini, është gjithashtu jetike që të arrihet përparim i vërtetë dhe i prekshëm në këtë dialog dhe të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte në dobi të rrugës suaj evropiane dhe, në fund të fundit, për jetën e qytetarëve të Kosovës”.

“Me përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të emëruar këtë vit, është koha të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të ecet përpara. Keni punuar shumë për të forcuar demokracinë tuaj gjatë viteve të fundit dhe jam i bindur se do të vazhdoni në të njëjtin drejtim. Kjo gjithashtu përfshin ndërtimin e konsensusit ndërmjet forcave të ndryshme politike”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Costa tha gjatë konferencës me Osmanin se gjithçka varet nga ndërtimi i besimit, që Kosova të jetë partnere e besueshme me fqinjët dhe me partnerët e saj në Bashkimin Evropian.