Dalin pagat në sektorin publik, Murati: Festoni me produkte vendore

Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se sot janë ekzekutuar pagat e muajit dhjetor për sektorin publik. Ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë duke konsumuar produkte vendore, me qëllim që të japin kontributin e tyre  në forcimin e ekonomisë, raporton Gazeta Stop.

Postimi i plotë i Muratit: 

Festoni me produkte vendore!

Sot kemi ekzekutuar edhe pagat e muajit dhjetor për sektorin publik, duke përmbyllur kështu vitin fiskal sa i përket shpenzimeve.

Nëse llogarisim edhe shtesat që u ekzekutuan para dy ditësh, janë rreth 140 milionë euro pagesa të bëra në llogaritë e qytetarëve, vetëm këtë javë.

Do të ishte mirë që secili prej nesh të japim kontribut në forcimin e ekonomisë duke blerë sa më shumë prodhime vendore, sidomos në kohë festash si tani.

Sa më shumë produkte vendore që blejmë, aq më shumë rritet punësimi e ekonomia. E kjo pastaj na mundëson që të rrisim buxhetin, e me më shumë buxhet rriten edhe pagat dhe mbështetja për të gjithë qytetarët.