Në kuadër të Javës së Bizneseve Kosovare 2025, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, së bashku me ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilluan sot një vizitë në fabrikën e përpunimit të çelikut “Euro Metal” në Ferizaj, në pronësi të afaristit Njazi Musliu.
Gjatë takimit me drejtuesit e kompanisë, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vlerësoi kontributin e “Euro Metal” në ekonominë vendore, duke theksuar se mbi 70% e prodhimit të saj shkon për eksport. “Prodhimi vendor është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Jemi këtu për të falënderuar këtë kompani për rolin e saj të rëndësishëm në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit,” u shpreh Shahini.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ndërkohë, theksoi se mbështetja e prodhuesve vendorë duhet të jetë në fokus të çdo qeverie. “Prodhimi vendor dhe fuqizimi i tij do të jenë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme. Bizneset prodhuese janë motor i rritjes ekonomike dhe punësimit në Kosovë,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, pronari i “Euro Metal”, Njazi Musliu, falënderoi delegacionin për vizitën dhe për interesimin ndaj sfidave të sektorit. Ai theksoi se çmimi i lartë i energjisë elektrike mbetet një prej problemeve më të mëdha që po e dëmton konkurrueshmërinë e bizneseve në tregjet ndërkombëtare. “Çmimi i energjisë është rritur mbi 200% dhe kjo na ka nxjerrë jashtë konkurrencës reale,” tha Musliu.
Në përfundim të vizitës, përfaqësuesit e AKB-së dhe Hoti u zotuan se shqetësimet dhe kërkesat e bizneseve do të adresohen në politikat ekonomike dhe në platformat e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe institucioneve shtetërore.