Ka dështuar edhe përpjekja e 33-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Edhe në seancën e sotme dështoi miratimi i propozimit për formimin e Komisionit Zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, transmeton Telegrafi.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë përfaqësuesit për këtë komision, por propozimi dështoi sërish.
Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares.
Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.