Dështimi i referendumit: Krejt çka ndodhi dje

Ka dështuar referendumi për largimin e kryetarëve nga 4 komunat në veri të vendit.

Shkak për këtë duket se është bërë thirrja e Listës Serbe, e cila e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, vendosi të bojkotojë gjithë procesin.

Kjo bëri që numri i votuesve të jetë minimal, e gjendja nëpër qendrat e votimit ishte si mos më keq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi pas mbylljes së vendvotimeve, se largimi i kryetarëve ka dështuar.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka dhënë shifrat e sakta të votimeve komunë për komunë.

Në Zveçan nuk ka votuar asnjë person.

“Të 23 qendrat evotimit janë mbyllur në orën 19:00, sipas të dhënave që kemi pranuar në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim:

Leposaviq 124 votues

Zubin Potok 18 votues

Zveçan nuk ka votuar asnjë votues

Mitrovicën e Veriut 111 votues.

Nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, pra nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm, prandaj konstatojmë se iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar”.

Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, ka pasur shumë reagime.

Osmani fajëson Beograin

Në lidhje me dështimin e referendumit, presidentja Osmani ka theksuar se, megjithëse Kosova u ofroi qytetarëve të komunave veriore mundësinë për të ndryshuar kryetarët aktualë, shumica e tyre nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. E gjithë kjo, sipas saj, ka ardhur si rezultat i presionit të Beogradit, duke ua mohuar të drejtën e votës qytetarëve serbë në veri.

“Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj. Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi”, tha Osmani.

Ajo ka akuzuar Listën Serbe dhe strukturat ilegale kriminale për presion ndaj qytetarëve për të penguar pjesëmarrjen e tyre në votim.

Në këtë kontekst, Osmani ka kritikuar “ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor të Kosovës”, duke akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq se nuk e ka mbajtur fjalën që u ka dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

Kurti kërkon heqjen e sanksioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me dështimin e referendumit “për ose kundër” shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore, ka thënë se “rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual”, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore ka dështuar.

Kurti më tej ka thënë se qeveria “ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës” dhe ka akuzuar Beogradin për “ushtrim të trysnisë ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna”.

Kreu i ekzekutivit përmendi gjithashtu se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim “ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.”

Ai ka bërë thirrje që masat e BE-së ndaj Kosovës të largohen sa më parë.

Reagon ambasada e Amerikës

SHBA dhe partnerët e saj e ndoqën nga afër procesin e votimit dhe sikurse edhe KQZ konstatojnë se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën për Gazetën Express.

Zëdhënësi citon ambasadorin Hovenier që është e rëndësishme për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.

Reagimi i Listës Serbe

Lista Serbe e cila njëherë e kërkonte procesin e largimit të kryetarëve, e pastaj ftoi në bojkot, ka reaguar pas përfundimit të referendumit.

Sipas Listës Serbe, serbët u treguan unik, duke e bojkotuar procesin të cilin ata e quajnë “farsë të organizuar nga Kurti”.

Në komunikatë ata kanë vazhduar t’i quajnë kryetarë të rremë, katër kryetarët shqiptarë në këto komuna.

“Farsa e organizuar nga regjimi i Albin Kurtit në veri të Kosovës ka përfunduar. Dita e sotme ka treguar disa gjëra që duhet të merren parasysh në periudhën e ardhshme, në radhë të parë nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Thirrjet për bojkotimin e referendumit ata i kanë arsyetuar duke thënë se nisma, sipas tyre, “është krijuar që në fillim me qëllimin për të dështuar”.

“E para është se Lista Serbe kishte thellësisht të drejtë kur i bëri thirrje popullit serb që të mos marrë pjesë në shfaqjen e Kurtit, sepse ajo u krijua që në fillim me synimin për të dështuar”, thuhet më tej në reagim.