Ka dështuar edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, i cili do të mundësonte zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe të nënkryetarëve, transmeton Telegrafi.
Subjektet politike nuk ofruan propozim, duke sjellë kështu një tjetër dështim në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ndryshe, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka paralajmëruar se sot mund të ketë takim ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.
“Ne presim që sot të zhvillohet takimi, jemi në afatin e fundit kushtetues. Unë pres sinjal pozitiv nga takimi që besoj sot do të ndodhë. Pres sinjal pozitiv, guxim nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, duke e parë që jemi në afatin e fundit kushtetues. Ky është realiteti politik, Limaj e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, presim nga lideri i LVV-së që të ketë vullnet dhe ta përkthejë në veprim të shpejt politik”, theksoi ajo.
Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 47 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.