Detaje: Arrestimet në rastin e 11 vjeçares u bën me ndihmën e telefonit, qëndroi në strehimore një muaj

  • Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar në detaje kronologjinë e rastit të përdhunimit të 11-vjeçares.

Përmes një konference për media, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, njoftoi se gjashtë personat e dyshuar që dyshohet se janë të përshirë në trafikim, u arrestuan me ndihmën e telefonit të të dëmtuarës, njofton Klankosova.tv.

“Më 21 qershor e mitura ka dalë nga shtëpia rreth orës 8. Nëna e saj e ka raportuar në polici si e zhdukur dhe me të njoftuar prokurorin kujdestar, i njëjti ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore. Më 22 qershor, në ora 8:20 në stacionin policor të veriut është gjetur e mitura dhe menjëherë është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe u dërgua në strehimore. Drejtoria e hetimit të trafikimit me qenie njerëzore është njoftuar dhe ka filluar me ndërmarrjen e hetimeve pasi që kemi pasur dyshime se e njëjta është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm. Që të vërtetohet kjo gjë, më 22 qershor hetuesit e kësaj drejtorie kanë njoftuar prokurorin e departamentit për të mitur dhe kanë paraqitur kërkesë për ekzaminim fizio-gjinekologjik, në fund të kësaj kërkese është kërkuar që të merret me urgjencë. Të njëjtën ditë, më 22 qershor pas intervistimit, është dërguar në strehimore për t’i marr të gjitha shërbimet e nevojshme. Më 23 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur urdhëresë për ekzaminimin e ADN-së në trupin e viktimës. Hetuesit e kësaj prokurorie kanë paraqitur kërkesë në Prokurori për sekuestrimin dhe ekzaminimin e telefonit të viktimës. Me kërkesë të prokurorit të shtetit, është urdhëruar që telefoni i viktimës të dërgohet në ekzaminim”.

“Më  24 qershor, gjykata ka vendosur që kërkesën e prokurorit për telefon ta aprovojë. Më 24 qershor, prokurori i shtetit ka marr vendim me të cilin obligohej agjencia e Kosovës për forenzikë në Prishtinë të bëjë ekzaminimin e telefonit të të dëmtuarës. Më 27 qershor u bë kërkesë për tërheqjen e kamerave në motele ku supozohet se ka mundur të shkojë viktima dhe më datë 7 korrik, prokurori i rastit e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezencë të psikologut. Ajo ka qëndruar në strehimore për 1 muaj dhe më 21 korrik më kërkesë të familjes, viktima është liruar nga strehimorja dhe kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre”.

“Lidhur me këto veprime, prokurori i shtetit më 1 shtator të këtij viti ka marr raportin nga agjencia e Kosovës për forenzikë lidhur me telefonin e të dëmtuarës. Pas këtij ekzaminimi që ka poseduar prokurori i shtetit, kemi idenfitikuar dhe kemi gjetur personat që kanë qenë të përfshirë në muajin qershor. Pas sigurimit të të gjitha të gjeturave dhe provave që kishim, prokuroria me policinë ka arrestuar fillimisht 6 personat e përfshirë të cilët janë dërguar në ndalim dhe të njëjtit dyshohen se kanë dhunuar, trafikuar njerëz dhe kanë qenë pjesë e shërbimeve seksuale. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për këta 6 persona”.

“Me rastin e muajit gusht, me të marrë të gjitha informacionet dhe veprimet e nevojshme, u arrestuan 2 persona, pas një dite zhvillimit të hetimeve u arritën të arrestohen edhe dy të dyshuar, poashtu u ndalua edhe personi i fundit, pra i dyshuari i pestë për shkak të veprës penale të dhunimit. Nga qershor, Prokuroria ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante”, ka shpjeguar Ulaj.