Diaspora dërgon 692 milionë euro vetëm për gjashtë muaj, ja sa janë bërë në 18 vjet

Diaspora vazhdon të derdhë miliona euro në Kosovë. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, remitancat kanë arritur në 692 milionë euro, duke shënuar rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të cituara nga Oda Ekonomike e Kosovës, vlera e remitancave po vazhdon të rritet, ndërsa shifrat e viteve të fundit tregojnë peshën e madhe që kanë dërgesat e diasporës në ekonominë e vendit.

Nga viti 2008 deri në fund të vitit 2025, në Kosovë janë transferuar rreth 15.2 miliardë euro remitanca.

Në vitin 2008, vlera e remitancave ishte 608.7 milionë euro. Deri në vitin 2025, kjo shumë ishte rritur në 1.4137 miliardë euro, ndërsa remitancat atë vit përbënin rreth 12.8 për qind të Produktit të Brendshëm Vendor.

Gjermania dhe Zvicra janë burimet kryesore të këtyre dërgesave. Gjatë periudhës 2008–2025, nga Gjermania janë transferuar rreth 5.808 miliardë euro, që përbëjnë 38.2 për qind të totalit.

Nga Zvicra janë dërguar rreth 3.105 miliardë euro, ose 20.4 për qind e remitancave të regjistruara gjatë kësaj periudhe.

Së bashku, Gjermania dhe Zvicra përbëjnë 58.6 për qind të remitancave të pranuara në Kosovë. Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Austria dhe Franca.

Një pjesë e madhe e parave dërgohet përmes agjencive për transferimin e mjeteve. Rreth 58 për qind e remitancave kalojnë përmes këtyre agjencive, ndërsa 17 për qind përmes bankave komerciale.

Remitancat përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shumë familje në Kosovë dhe përdoren për shpenzime të përditshme, arsim, shëndetësi, banim dhe nevoja të tjera familjare.

Shifrat e fundit tregojnë se dërgesat e diasporës mbeten një nga burimet kryesore të mjeteve financiare që hyjnë në ekonominë e Kosovës, ndërsa vlera vjetore e remitancave është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2008.