Në Shqipëri sot do të jetë ditë zie në nder të viktimave të tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Vendimi u bë publik ditë më parë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes rrjeteve sociale.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Ulja e flamurit kombëtar në gjysmështize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, ka shkruar ai.
Tërmeti që ndodhi në Turqi dhe Siri mëngjesin e së hënës shkaktoi mbi 34 mijë viktima dhe la të plagosur mijëra persona të tjerë.