Dorëhiqet u.d. i sekretarit në Ministrinë e Industrisë, shkak një tender milionësh

Arbër Gegaj, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë dorëheqje nga pozita, raporton Paparaci.

Më shumë se tre muaj pas marrjes nën udhëheqje të pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm në MINT, Gegaj është dorëhequr nga pozita javën e kaluar.

Paparaci merr vesh se dorëheqja e Gegajt ndërlidhet me mosmarrëveshjet mes tij dhe stafit politik në Ministrinë e Industrisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdarit, rreth një kontrate publike me vlerë të madhe.

Sipas burimeve të Paparacit, Gegaj ka refuzuar të japë aprovimin e tij me nënshkrim të një tenderi publik të vlefshëm mbi një milion euro, të iniciuar nga Zyra e Prokurimit në MINT.

Burimet kanë treguar se sekretari i dorëhequr “ia ka shqyer ministres Hajdari shkresat e lëndës” në një takim në katër sy të zhvilluar në ambientet e ministrisë.

Gegaj, një punonjës me përvojë në strukturat menaxhuese të shërbimit civil në administratën shtetërore, nuk e ka pohuar dorëheqjen e tij nga pozita, në një bisedë telefonike me Paparacin javën që shkoi.

“Jam në pushim”, tha shkurtimisht Gegaj.

Për dorëheqjen e Gegajt dhe përplasjen mes tij dhe nivelit më të lart politik në ministri, kanë refuzuar të përgjigjen në Ministrinë e Industrisë.

Zyra për Komunikim me Media në ministri nuk ka kthyer përgjigje rreth dorëheqjes së u.d. të sekretarit, ndonëse mediumi ka pritur më shumë se katër ditë për përgjigje.

Arbër Gegaj ishte emëruar ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë rreth tre muaj më parë, më 6 maj, 2022. Vendimin e kishte nxjerrë ministrja Hajdari.

Para se të bëhej pjesë e shërbimit civil në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Gegaj kishte udhëhequr një departament brenda Ministrisë së Drejtësisë. Kishte shërbyer si drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë.