Ministria e Ekonomisë synon të kthejë furnizimin normal me rrymë duke i ndalur vjedhjet

Ministria e Ekonomisë (ME), ka njoftuar se po ndërmerren hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit.

Në një sqarim, pas paralajmërimit të KEDS-it se të hënën do të ketë reduktime të energjisë elektrike, kjo ministri ka thënë se po bëhen gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por edhe për të ndërprerë “përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike”.

“Prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh. Kërkesa për konsum është deri në 750 MWh. Çmimi në bursën Hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh. Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i. Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më tej është kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë ditës.

“Kursimi i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe to të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi. Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate”, ka thënë ME-ja.

Teksa është shprehur shqetësimi për humbje komerciale, ministria ka paralajmëruar se do të ndërhyhet për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri.

“Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë”, thuhet në njoftim.