Dy infermierë dhe një mjek të spitalit në Gjakovë preken nga koronavirus

Tre nga gjashtë të infektuarit me koronavirus në Gjakovë janë pjesë e stafit shëndetësor të Spitalit Rajonal.

Një nga të infektuarit ishte edhe infermiere në repartin e hemodializës në këtë spital, raporton KOHA.

Drejtori i Spitalit “Isa Grezda”, Hilmi Shala, thotë se është dezinfektuar hapësira ku ka punuar infermierja.

Shala thotë që gjendja është nën kontroll dhe 17 pjesëtarë të stafit ditën e premte kanë rezultuar negativë në testin për COVID-19.

Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Gjakovës bëjnë me dije se gjendja nuk është alarmante në këtë qytet.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ferdinand Kolaj, tregon se janë marrë masat e duhura për mbrojtje nga koronavirusi.

Në Kosovë tashmë janë shënuar mbi 80 raste të infektimit me koronavirus, një prej të cilëve është shëruar e një tjetër ka vdekur.