Dy kërkimfajlet e kryeministrit Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij, në rrjetin social Facebook ka kërkuar falje për dy veprime. Sipas tij, e para, është që nuk ka arritur të heqë taksën 100% ndaj mallrave serbe për lëndën e parë që importohet, dhe e dyta, që nuk ka respektuar urdhëresën për distancë fizike mbi një metër me njerëzit tjerë në kohën e koronavirusit.

Dy kërkimfalje

Të nderuar qytetarë,

Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.

Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje.

Përzemërsisht,

Albin Kurti