Dyshimet për helmime në Deçan – Prokuroria nis hetimet edhe për një vdekje tjetër

Që nga e diela, mbi 1 mijë banorë të gjashtë fshatrave të Deçanit, kanë kërkuar ndihmë në QKMF-në e këtij qytetit, për shkak të dyshimit se janë helmuar nga uji. 

Organet e drejtësisë gjatë ditës së djeshme kanë nisur hetimet për një vdekje të dyshimtë që ndodhi pasdite në fshatin Prilep të Deçanit. 

Por, kjo nuk është vdekja e vetme për zbardhjen e të cilës ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Pejë. 

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, tha për Sinjalin se gjatë 24-orëve të fundit në komunën e Deçanit kanë ndodhur dy raste të vdekjeve të dyshimta. 

Shkaku i vërtetë i vdekjes së tyre do të kuptohet vetëm pasi të dalin rezultatet e autopsisë së trupave të pajetë. 

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha ai.