Në Suharekë shënohet përmbyllja e sezonit të vjeljes së rrushit

Në Theranda Wine – Suharekë është shënuar përmbyllja e sezonit të vjeljes së rrushit, një moment që shënon fundin e punës së sezonit në vreshta dhe vazhdimësinë e traditës së vreshtarisë dhe verarisë në Kosovë.

Në këtë aktivitet, në mesin e vreshtave, morën pjesë përfaqësues të bizneseve dhe miq të industrisë së verarisë, ku u diskutua për rëndësinë e rritjes së prodhimit vendor, përpunimit dhe krijimit të produkteve me vlerë të shtuar.

Përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) theksuan se vreshtaria dhe veraria paraqesin një potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Rrushi është bujqësi, vera është industri, investimi është punësim, ndërsa prodhimi vendor është ekonomi dhe zhvillim”, thuhet në mesazhin e AKB-së.

Sipas tyre, Theranda dhe Rahoveci kanë potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të vreshtarisë, verarisë dhe agroturizmit, ndërsa ky potencial mund të përkthehet në më shumë investime, eksporte, vende të reja pune dhe promovim të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

AKB-ja ka deklaruar se do të vazhdojë të mbështesë prodhuesit dhe bizneset vendore, duke theksuar rëndësinë e investimeve dhe prodhimit për zhvillimin e ekonomisë.

Aktiviteti u përmbyll me një mesazh për mbështetjen e produkteve vendore: “Blini kosovare – mbështet ekonominë tonë!”.