Facebook “hap kuletën”, ofron 100 milionë dollarë grante për bizneset e prekura nga koronavirusi

Facebook të martën njoftoi një program 100 milionë dollarësh për të ndihmuar bizneset e vogla në gjithë botën.

Një hap i Facebook, përcjell Telegrafi, vjen pasi qeveritë në shumë vende të botës kanë kërkuar ndërprerjen e aktivitetit të disa bizneseve, për të ngadalësuar pandeminë e koronavirusit.

Në një postim përmes së cilit njoftoi grantet, Facebook tha, “Ne e dimë se biznesi juaj mund të ketë përvojë të ndërprerjeve që vijnë nga shpërthimi global i COVID-19. Kemi dëgjuar se një mbështetje e vogël financiare mund të zgjasë shumë kohë, kështu që ne po ofrojmë 100 milionë dollarë grante në para dhe kredi reklamimi për të ndihmuar gjatë kësaj kohe sfiduese”.

Facebook tha se grantet do të jenë në dispozicion për deri në 30,000 biznese të vogla të pranueshme në mbi 30 vende.

Ndryshe, sipas CNBC, kompania gjeneroi 21.08 miliardë dollarë vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2019.

Siç bëhet e ditur më tej, Facebook do të fillojë të pranojë aplikime në javët e ardhshme.

Po sipas CNBC, programi mund të ndihmojë bizneset me qira dhe kosto operacionale, duke ruajtur forcën e punës dhe kontaktet me klientët.